BREAKING NEWS
Home » GREQI » Shqipëria, paketa të përbashkëta turistike me Janinën

Shqipëria, paketa të përbashkëta turistike me Janinën

Paketat e përbashkëta turistike rajonale do të sjellin më shumë turistë. Për këtë, Agjencia Kombëtare e Turizmit, në bashkëpunim me shoqatat e turizmit dhe hotelerisë në vend po ftojnë grupe operatorësh turistikë të rajonit për t’i njohur ata me destinacionet turistike shqiptare.

Të hënën, një grup operatorësh turistikë të qarkut të Janinës nisën një vizitë dy ditore në Shqipëri, ku po njihen me destinacionet turistike shqiptare. Kreu i AKT-së, Ardit Çollaku, gjatë një takimi mes operatorëve turistikë të dy vendeve tha se vizita e sotme tregon më së miri frymën e mirë të bashkëpunimit gjithnjë në rritje. Kjo frymë bashkëpunimi, tha ai, ndikon drejtpërdrejt në rritjen e fluksit të turistëve dhe objektivit të përbashkët, një turizëm gjithëvjetor. AKT-ja është një partner në zgjidhjen e problematikave që mund të dalin në të ardhmen, siguroi Çollaku.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Hoteleve të Qarkut të Janinës, Konstandin Vllaho, u shpreh se vizita në Shqipëri synon të shqyrtojë e materializojë marrëveshjen e bashkëpunimit të realizuar në fund të shkurtit.

Ndërsa një ndër përfaqësuesit e hotelerisë në Janinë, Sam Kundunis, theksoi se synohet përgatitja e produkteve turistike të përbashkëta në mënyrë që të rritet konkurrueshmëria në treg. Këto produkte do të jenë në turizëm, sport, kulturë, mjedis etj.

Operatorët turistikë të qarkut të Janinës do të vijojnë takimet për prezantimin e destinacioneve turistike, për të arritur në marrëveshje bashkëpunimi konkrete.

Në fund të shkurtit, Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Turizmit realizuan një mision të përbashkët në Rajonin e Epirit me qëllim nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi. Ajo konsiston në krijimin e sinergjive që kontribuojnë në drejtim të zhvillimit të produktit rajonal, përmirësimin e cilësisë së produkteve të të dy vendeve, promovimin e përbashkët të destinacioneve Shqipëri e Greqi, veçanërisht të zonave ndërkufitare për të siguruar një pozicionim më të mirë në tregjet ndërkombëtare.

Agjencia Kombëtare e Turizmit po punon për hartimin e paketave turistike me të gjitha vendet e rajonit. Javën që shkoi, Shqipërinë e vizituan edhe operatorë turistikë të Dubrovnikut, Kroaci.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

test