Në kuadër të planit të Bashkimit Europian për lehtësimin e krizës së emigracionit në Europë, anijet e para me emigrantë që po dëbohen nga Greqia kanë mbërritur në Turqi.
Sipas BBC-së, disa dhjetëra emigrantë, të hipur në tragete në ishullin e Lesbos kanë mbërritur tashmë në Dikili, në perëndim të Turqisë.
Ndërkohë, agjencia e BE-së për kontrollin e kufirit, Frontex, deklaroi për BBC-në se “131 persona u larguan nga ishulli helen të hënën në mëngjes, shumica e të cilëve nga Pakistani”.
BBC shkruan se “një tjetër traget i mbushur me emigrantë pritet të niset drejt Turqisë nga ishulli i Kios”. Emigrantët në Greqi janë ankuar për mungesë informacioni lidhur me procedurën e azilit dhe disa kanë deklaruar se nuk janë në dijeni as nëse do të dëbohen.
Kujtojmë se marrëveshja e arritur muajin e kaluar mes Bashkimit Europian dhe Turqisë është kritikuar ashpër nga grupet e djathta dhe ekzistojnë shqetësime për mungesë përgatitjeje në zbatimin e saj.
Në bazë të marrëveshjes, emigrantët që mbërrijnë në mënyrë ilegale në Greqi pritet të kthehen mbrapsht në Turqi nëse nuk aplikojnë për azil, ose nëse apeli i tyre refuzohet. Në kuadër të marrëveshjes, Turqia ka përfituar koncesione financiare dhe politike.