BREAKING NEWS
Home » LAJME NGA VENDI » Parlamenti Evropian miraton rezolutën.Shqipëria drejt BE-së

Parlamenti Evropian miraton rezolutën.Shqipëria drejt BE-së

Parlamenti Evropian miratoi sot me 428 vota projektrezolutën për Shqipërinë për vitin 2015 të hartuar nga eurodeputetët Knut Flekenshtain dhe Eduard Kukan.

“Shqipëria është në udhën e duhur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian – deklaroi Flekenshtajn -. Vendi aktualisht po përgatit një reformë shumë ambicioze në sistemin e drejtësisë e cila do të trajtojë shqetësimet më të rëndësishme të ngritura nga qytetarët dhe do të ndihmojë në luftimin e korrupsionit në jetën e përditshme. Qytetarët shqiptarë duan të bëhen gati për të qenë pjesë e BE-së. Tani udhëheqësit politikë duhet të vijojnë me zbatimin e reformave”.

Sipas rezolutës, nëse dëshiron çeljen e negociatave për anëtarësim, Shqipëria duhet të intensifikojë reformat në çështjet me përparësi kyçe, siç janë sundimi i ligjit, reformat në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në administratën publike dhe të drejtat themelore të njeriut.

Parlamenti Evropian mbetet i shqetësuar nga përhapja e korrupsionit në arsim, shëndetësi, drejtësi dhe në disa fusha të tjera. “Po ashtu është shtuar vetë-censura mes gazetarëve, të cilët ndonjëherë pengohen fizikisht të mbulojnë ngjarje të caktuara ose kërcënohen për shkak të punës së tyre”, theksohet në rezolutë.

Gjatë debatit mbi rezolutën e Flekenshtainit për integrimin evropian të Shqipërisë, ministrja holandeze e Mbrojtjes, Xhanin Henis-Plaskaert dhe komisioneri Johanes Han, kanë radhitur si kryepërparësi për Shqipërinë finalizimin e reformën e drejtësisë përmes dialogut politik dhe fillimin e zbatimit të saj.

Komisioneri Han ka thënë se për këtë reformë ka mbetur për t’u hedhur hapi i fundit dhe ndonjëherë hapi i fundit është më i vështiri. Por sipas tij, kjo reformë është tepër e rëndësishme për vendin për t’u përdorur si një subjekt manovre politike nga ndonjë parti politike.

Por presidenca holandeze dhe Komisioni Evropian janë shprehur qartë, se kjo nuk është e vetmja reformë mbi bazën e së cilës do të vlerësohet Shqipëria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

test