Serbia nuk do të mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian pa njohur pavarësinë e Kosovës, i pëlqen kjo dikujt apo jo.
Kjo është deklarata që bëri zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian Ulrike Lunaçek në një diskutim podiumi në Berlin, me temë “Zhvillimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës” .
Në këtë takim merrnin pjesë Bodo Veber nga Këshilli për politika demokratike, si dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Lunaçek u shpreh se “vazhdimisht angazhohet dhe kërkon që edhe pesë vendet e BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe sipas saj, kjo duhet të ndodhë.
Ndërsa Bodo Veber tha se “nuk do të lejohet anëtarësimi i Serbisë në BE para Kosovës, pasi askush nuk mund të garantojë që më pas Serbia nuk do ta bllokonte anëtarësimin e Kosovës në BE”. Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka deklaruar se ‘Vetëvendosje’ nuk është në parim kundër dialogut me Serbinë, por është kundër dialogut pa parime”.